Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët raportimin e krimeve të luftës
Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës është organi i vetëm kompetent për të pranuar, verifikuar dhe hetuar informacione rreth krimeve të luftës të kryera gjatë periudhës 1998-1999.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje publike drejtuar qytetarëve për të raportuar çdo informacion, provë ose të dhënë relevante për krimet e luftës të kryera gjatë konfliktit të viteve 1998-1999. Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës thekson se është njësia e vetme kompetente brenda Forcës së Policisë për trajtimin e këtyre rasteve.
Kjo drejtori, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, verifikon dhe procedon të gjitha rastet penale që kanë të bëjnë me krimet e luftës. Informacionet pranohen pavarësisht burimit, qoftë nga individë, institucione, organizata vendore e ndërkombëtare, apo nga burime të hapura, duke respektuar ligjet në fuqi.
Pas publikimeve të fundit në media, Policia ka rikujtuar se adresa zyrtare për paraqitjen e çdo detaji të rëndësishëm mbetet Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Departamenti për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale. Autoritetet garantojnë trajtim profesional, konfidencialitet dhe respektim të plotë të standardeve ligjore për të gjithë ata që ofrojnë bashkëpunim.
