Interesim i ulët për studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës
Programet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës kanë shënuar numër të vogël aplikimesh këtë vit, ndërsa Fakulteti i Mjekësisë mbetet shumë i kërkuar.
Programet studimore për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës kanë tërhequr një numër të vogël kandidatësh gjatë këtij viti akademik. Sipas të dhënave të disponueshme deri më 6 korrik, pak para përfundimit të afatit të aplikimit, në programin e Letërsisë Shqipe kishin aplikuar vetëm 18 nxënës, ndërsa në atë të Gjuhës Shqipe 22.
Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Abdulla Rexhepi, ka vlerësuar se kjo rënie e interesimit për shkencat humane dhe shoqërore është një trend i përgjithshëm, i ndikuar edhe nga orientimi i studentëve drejt teknologjisë. Ai ka theksuar se situata në Kosovë është më e mirë krahasuar me rajonin.
Për të nxitur regjistrimin në këto drejtime, Ministria e Arsimit kishte ndarë bursa prej 1 mijë eurosh në vitin 2024. Megjithatë, dhënia e tyre është pezulluar për shkak të parregullsive të evidentuara. Dekani Rexhepi ka bërë të ditur se janë në negociata me ministrinë për rikthimin e bursave, duke synuar një menaxhim më të mirë të procesit.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ka konfirmuar se po bashkëpunojnë ngushtë me Ministrinë e Arsimit për të zhvilluar politika që do të mundësonin përgatitjen e kuadrove të nevojshme për shoqërinë.
Në kontrast me Fakultetin e Filologjisë, Fakulteti i Mjekësisë vazhdon të ketë kërkesë të lartë. Dekani Sefedin Muçaj ka treguar se për 462 vende të lira kanë aplikuar mbi 1800 kandidatë, që do të thotë mesatarisht katër aplikantë për një vend. Ai ka shtuar se fakulteti ka kapacitete për të rritur numrin e studentëve dhe janë në diskutime me universitetin për këtë mundësi, duke respektuar kriteret e Agjencisë së Akreditimit.
