Përbërja e re e Kuvendit të Kosovës me 41 deputete
Instituti Demokratik i Kosovës njofton se legjislatura e re e Kuvendit do të ketë 41 gra deputete, ku gjashtë prej tyre kanë siguruar ulëset përmes kuotës gjinore.
Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës do të numërojë gjithsej 41 gra deputete, duke shënuar një përfaqësim prej rreth 34 për qind të përbërjes së përgjithshme të parlamentit. Këto të dhëna janë bërë të ditura nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) pas përfundimit të procesit të ndarjes së mandateve.
Sipas raportit, shumica e deputeteve, përkatësisht 35 prej tyre, kanë fituar mandatin përmes votave të drejtpërdrejta nga qytetarët. Ndërkohë, gjashtë deputete të tjera janë bërë pjesë e Kuvendit përmes zbatimit të kuotës gjinore, proces ky që ka sjellë ndryshime në listat e disa subjekteve politike.
Në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, përmes këtij mekanizmi janë zëvendësuar tri ulëse, ku përfshihen Time Kadrijaj, Albana Bytyqi dhe Teuta Haxhiu. Në Partinë Demokratike të Kosovës janë ndryshuar dy ulëse, përkatësisht për Eliza Hoxhën dhe Ariana Musliu-Shoshin, ndërsa në Listën Serbe është ndryshuar një ulëse, e cila i takon Tanja Vuljoviq.
