Meta ka nisur testimin e një funksioni të ri në WhatsApp, i cili synon të ndihmojë përdoruesit të verifikojnë në kohë reale përmbajtjet e dyshimta dhe lajmet e rreme pa dalë nga aplikacioni.
Veçoria e re mban emrin “Ask Meta AI” dhe u zbulua nga faqja WaBetaInfo në versionin e fundit të testimit për Android (2.25.23.24). Përdoruesit që kanë akses në këtë opsion mund të zgjedhin butonin e ri nga menyja, duke dërguar përmbajtjen drejtpërdrejt te chatbot-i i Metës. Më pas, përmes një pyetjeje të thjeshtë, sistemi do të kthejë informacion të verifikuar mbi saktësinë e lajmit.
Për momentin, funksioni është i kufizuar vetëm për një grup të vogël përdoruesish si pjesë e fazës pilot, por pritet të zgjerohet gradualisht për të gjithë. Qëllimi i kompanisë së Mark Zuckerberg është të reduktojë shpejtësinë me të cilën përhapen dezinformatat në platformë – një problem i njohur prej kohësh, sidomos përmes mesazheve zinxhir.
Në të kaluarën, WhatsApp ka ndërmarrë hapa të ngjashëm duke kufizuar numrin e herëve që një mesazh mund të përcillet, por këtë herë eksperimenti është më ambicioz, pasi bazohet plotësisht në inteligjencën artificiale, pa mbikëqyrje të drejtpërdrejtë njerëzore.
Lajmi është publikuar nga RT Balkan për ju.