Vizita zyrtare e presidentit rus Vladimir Putin në Kinë ka përfunduar me nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme energjetike, e cila do të lidhë drejtpërdrejt tregjet ruse me ato kineze përmes tubacionit “Fuqia e Siberisë-2”.
Pas një takimi trepalësh mes Putinit, homologut kinez Xi Jinping dhe presidentit të Mongolisë, Ukhnaagiin Khurelsukh, kompania Gazprom konfirmoi se kontrata tashmë është ligjërisht e vlefshme. Sipas marrëveshjes, tubacioni do të transportojë deri në 50 miliardë metra kub gaz çdo vit, duke kaluar nga Rusia nëpërmjet territorit të Mongolisë drejt veriut të Kinës.
Ky projekt shihet si një hap strategjik i Moskës për të kompensuar humbjet e shkaktuara nga mbyllja e tregjeve evropiane pas sanksioneve dhe luftës në Ukrainë. Marrëveshja përfshin një kontratë 30-vjeçare, ndërsa çmimi i furnizimit me gaz do të jetë më i favorshëm për Kinën sesa ai i ofruar vendeve të BE-së.
Takimi në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë, ku të dy liderët theksuan miqësinë e gjatë dhe bashkëpunimin strategjik. Xi Jinping e cilësoi Putinin si një “mik të vjetër” dhe nënvizoi se partneriteti Rusi–Kinë ka rezistuar ndaj sfidave të kohës dhe ndryshimeve në skenën ndërkombëtare. Nga ana e tij, Putin e përshkroi aleancën me Kinën si të natyrshme dhe thelbësore për balancat globale të sotme.
Kjo vizitë e gjatë e liderit rus në Kinë është interpretuar nga analistët si përpjekje e Kremlinit për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare në një moment kur Perëndimi po rrit presionin diplomatik dhe ekonomik mbi Moskën.
Në agjendë është edhe një paradë ushtarake madhështore në Pekin, ku përveç Xi Jinpingut, pritet të marrë pjesë edhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Kjo do të theksojë më tej aleancën e tri vendeve që sfidojnë hapur ndikimin perëndimor në botë.
Vizita aktuale e Putinit përbën qëndrimin më të gjatë të tij në një shtet të huaj që nga nisja e luftës në Ukrainë në vitin 2022, duke sinjalizuar qartë rëndësinë e partneritetit ruso–kinez në fazën e re të rivalitetit global.
Lajmi është publikuar nga RT Balkan për ju.