Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar pas dështimit të mbledhjes së kryesisë për shkak të mungesës së kuorumit. Ai theksoi se vendimi për ta konstituuar parlamentin pa nënkryetarin nga komuniteti serb është marrë në bazë të rregullores së punës së Kuvendit.
“Sipas vlerësimit tim, Kuvendi nuk mund të mbetet jofunksional vetëm pse nuk është zgjedhur një nënkryetar”, u shpreh Basha.
Për situatën e krijuar, ai është takuar edhe me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, duke e informuar për zhvillimet, por pa hyrë në bisedime lidhur me mandatarin për formimin e qeverisë.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje – si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit – paralajmëron se së shpejti do t’i kërkojë presidentes Osmani dhënien e mandatit për krijimin e kabinetit qeveritar. Sipas Albulena Haxhiut, mandati për kryeministër do të kalojë fillimisht në këshillin e përgjithshëm të LVV-së, e më pas emri i Albin Kurtit do t’i dërgohet zyrtarisht presidentes.
Pas konstituimit të Kuvendit, presidentja është e obliguar të takojë përfaqësuesin e subjektit fitues dhe t’i japë mandatin për formimin e qeverisë. Nga ai moment, Vetëvendosje ka në dispozicion 15 ditë për të siguruar shumicën prej 61 votash.
Lajmi është publikuar nga RT Balkan për ju.